Vrasja e 20-vjeçarit në Korçë, shoqërohen 3 persona të përfshirë në konflikt. Policia: Kemi identifikuar autorin, është rrethuar zona

Nga A2 CNN
8 Gusht 2026, 18:33 | Kronikë

Vrasja e 20-vjeçarit në Korçë, shoqërohen 3 persona

Policia e Korçës ka dhënë informacion zyrtar lidhur me vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko këtë të shtunë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, thotë Policia. Sipas saj, aty ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.

“Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, tha policia, përcjell A2 CNN.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos