Policia ka dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me vrasjen e 41-vjeçarit në Fier, ditën e enjte.
“Në lagjen 16 Prilli, nga një automjet tip Benz, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë, e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç. Pas këtij veprimi, shtetasi E. J. ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të automjetit Benzit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç”, lexohet në njoftimin e policisë.
Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me Benz janë vëllezërit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe shtetasit E. J. për motive të dobëta. (A2 Televizion)