Kryetari i Gjykatës së Lartë ka thirrur në një takim të enjten të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, pas vrasjes në sallën e gjyqit të gjykatësit Astrit Kalaja.
Mbledhja do të mbahet në orën 10:00 në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në njoftimin për këtë mbledhje Gjykata e Lartë bën me dije se ngjarja e rëndë ka tronditur thellë sistemin gjyqësor dhe opinionin publik dhe ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë ushtrimin e funksionit gjyqësor.
Sipas kreut të kësaj gjykata mbledhja përfaqëson një moment të rëndësishëm ku trupa gjyqësore do të shprehë qartë se asnjë akt dhunë, kërcënim apo presion politik nuk do ta përkulë drejtësinë dhe të cenojë pavarësinë e saj.
“Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetari ndaj padrejtësisë dhe dhunës.
Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri”, shkruhet mes të tjerash në njoftim. (A2 Televizion)