Gazetari Poli Hoxha thotë se gjykatësi i vrarë të hënën në sallën e gjyqit, ka qenë pre e sulmeve politike në të shkuarën. “Vetë ky ka qenë pre e sulmeve kur dha një vendim në Apel: vendimi i Zhukrit për Kongresin e PD-së. Mbaj mend atëherë, mediat pranë Berishës apo edhe eksponentë të tjerë e quajtën “shërbëtori i Yuri Kim-it”, është kështu, është ashtu”, tha Hoxha i ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
Ai shtoi se të gjithë politikanët shqiptarë janë bashkëfajtorë të klimës ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, pasi i sulmojnë sa herë që u preken interesat. “Po krijojmë një klimë anti-drejtësi dhe një front anti-drejtësi, i cili në një mënyrë apo në një tjetër infekton, helmon njerëzit, u jep guxim, i trimëron”, shtoi Hoxha.
“Pavarësisht se nga vjen, ne dëgjojmë që sa herë preket një interes, qoftë edhe për një lokal, del Kryeministri. Për një lokal që një gjyqtar në Apel i thotë IKMT-së se “ishte pronë e tij dhe s’ke të drejtë ta prishësh”, del Kryeministri vetë dhe sulmon. E njëjta gjë ndodh edhe nga opozita: del zoti Berisha me këdo gjyqtar apo prokuror që ka punë, apo edhe me vetë kreun e SPAK-ut. Nga mëngjesi deri në darkë janë kriminelë, janë shërbëtorë të këtyre”.
“Nëse ti, si politikan dhe drejtues i mazhorancës, dhe tjetri si drejtues i opozitës, krijoni një klimë të infektuar për gjithë drejtësinë, ai tjetri, pak pa shkollë, pak i nervozuar, pak edhe me prirje kriminale, arrin deri këtu”, tha Hoxha. (A2 Televizion)