Shtohen armëmbajtjet pa leje! Në 15 muaj, 650 armë të sekuestruara, trafikohen nga jashtë

Nga Xhensila Kodra
3 Maj 2025, 11:07 | Kronikë

Thuajse çdo atentat i tipit mafioz, pasohet nga djegia e mjeteve të përdorura nga autorët, si dhe armët e zjarrit të përdorura prej tyre. Por ndryshe ndodhi në dy atentatet e ndodhura së fundmi në vend, atij të Tiranë ku u plagosën 4 persona dhe atij në Lezhë ku një 64 vjeçar u ekzekutua me breshëri kallashnikovi.

Atentatorët dogjën vetëm mjetet, por armët e zjarrit mbetën sërish në duart e tyre duke u bërë potencial për ngjarje të tjera kriminale.

“A2 CNN mëson se afro 650 armë zjarri të llojeve dhe kalibreve të ndryshëm janë kapur gjatë 15 muajve të fundit në të gjithë vendin. 100 prej të cilave vetëm nga janari deri në mars të këtij viti. Fenomeni i armëmbajtjes pa leje sa vjen e po njeh rritje kohët e fundit, duke u bërë kështu një shqetësim edhe për Policinë e Shtetit”.

Numrin më të lartë të sekuestrimeve e mbajnë armët pistolete. Nuk mungojnë as armët automatik te tipit kallashnikov apo ato sportive. Një pjesë e mirë e tyre rezultojnë të jenë të sofistikuara e të trafikuara nga jashtë vendit.

Në pranga kanë përfunduar 400 persona, kryesisht të moshës 30 deri në 50 vjeç. Ata janë kapur më së shumti gjatë kontrolleve rutinë të ushtruara në mjete e ambiente publike. Por një sinjal shqetësues është fakti qe del nga rastet e evidentuara se armët po i mbajnë edhe fëmijët. Nuk kanë munguar as rastet kur armët e zjarrit u janë gjetur me vete edhe personave të mitur nën 14 vjeç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos