
Një aksident ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Lepenicë, të Vlorës. Policia njofton se një 35-vjeçare ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka përfunduar në lumë. Për pasojë janë dëmtuar drejtuesja e mjetit dhe dy fëmijët që udhëtonin me të, të cilët janë dërguar për trajtim në spital.
A2 CNN mëson se të tre ndodhen në sallën e operimit. Nëna dhe dy fëmijët konstatohen në gjendje të rënduar shëndetësore. Siç mëson A2 CNN nëna është ajo që rrezikon më tepër për shkak të dëmtimeve në pjesën e legenit dhe frakturave të shumta në trup që ka pësuar nga aksidenti.
Njoftimi i Policisë Vlorë
Sot, rreth orës 10:40, në fshatin Lepenicë, shtetasja A. A., rreth 35 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Renault”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në lumë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar drejtuesja e mjetit dhe dy fëmijët që udhëtonin me të.
Të tre shtetasit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. (A2 Televizion)