Zbardhet rrëfimi i të penduarit Alibej, nga biznesi i kokainës te 100 mijë euro për kokën e Talo Çelës

Nga Armand Bajrami
29 Maj 2025, 18:34 | Kronikë

“Unë kisha hedhur fjalë në Elbasan, që për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë dhe 200 mijë për të ma sjellë të gjallë”. I penduari tjetër i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, Erion Alibej, i tha Gjykatës së Posaçme se kjo ofertë kishte qenë shkas i njohjes së tij me të penduarin Nuredin Dumani. Oferta kriminale nga ana e saj, motivohej me faktin Talo Çela, sipas Alibejt, kishte marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku iu vra vëllai, Endrit Alibej dhe xhaxhai, Arben Dylgjeri.

Në rrëfimin e tij të parë në gjykatë, i akuzuari nga SPAK si i përfshirë në vrasjen e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir e Vikton Haxhia dhe atë të Emiliano Ramazanit e Rigers Runajt ndau detaje se si hyri në botën e krimit, “perandorinë kriminale” të trafikut të kokainës të të vëllait të ndjerë në Holandë, atentatet ndaj familjarëve dhe marrëdhëniet e tij e të vëllait me Suel Çelën dhe anëtarët e familjeve Çapja e Çopja në Elbasan, transmeton A2 CNN.

Takimin me Dumanin Alibej tha se e kishte regjistruar. Në 2 orë e 48 minuta ai i kishte paraqitur të gjitha hetimet private mbi personat e përfshirë në tre ngjarje kriminale ndaj personave të afërt me të, duke i përmendur se edhe vëllai i Dumanit kishte marrë pjesë në “masakrën e Bradasheshit”. “Nuredini nuk ma pranoi, tha Alibej, por i thashë të betohen me dorë në Kuran, që unë të fal gjakun e vëllait, por dua të mi tregosh të gjitha”.

Alibej i kishte kërkuar Dumanit ta nisnin me Talo Çelën, ndërkohë që e dinte se financuesit e vrasjes së të vëllait ishin vëllezërit Çopja, miq të hershëm të tyre. I pyetur nga prokurorët për vetën, Erion Alibej tha se vëllai i tij, Endrit Alibej, kishte emigruar që në moshën 16-vjeçare në Greqi e më pas në Itali dhe Holandë dhe se në vijimësi ishte marrë me trafik droge, shkruan A2 CNN.

“Asnjëherë nuk ka punuar në punë të ligjshme”, tregoi i penduari. Sipas tij, kulmin i vëllai e kishte mbërritur në Holandë, ku ishte bërë i rëndësishëm për shkak të kontakteve dhe kokainën e mbërritur nga Amerika Latine mund ta shpërndante në Holandë, Itali, Angli e Belgjikë. I penduari tha se ishte përfshirë për herë të parë në trafikun e drogës në Angli, në vitin 2016, për t’i ardhur në ndihmë të vëllait, që kishte disa borxhe.

“I kisha mundësitë të furnizohesha me kokainë dhe të shisja kokainë. Vështirë ishte të gjeje shtëpi”, tha i penduari, që shpjegoi më pas se kishte fituar shumë nga shpërndarja, duke shlyer një pjesë të borxhit të të vëllait. Erion Alibej tregoi se me Suel Çelën ishin rritur, ndërsa Hajdar Çopjen e njihnin familjarisht, përcjell A2 CNN.

Ai rrëfeu se teksa ishte në Angli, Hajdar Çopja jetonte në Holandë dhe kishte një linjë trafiku nga shteti në shtet me kuaj të kokainës, nga Holanda në Belgjikë, drogë që më pas shkonte në Angli. I penduari tha se Suel Çela e kishte nisur trafikun e drogës që në moshë të mitur dhe se në një rast, bashkë me një kushëri të Hajdar Çopjes i kishin vjedhur në një bazë 2 kg kokainë.

Erion Alibej tregoi edhe për ditën e masakrës së Bradasheshit, ku teksa ishte në kërkim nga policia, ishte i pari që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, dhe se e kishte gjetur të ngrohtë të vëllanë, që nuk i mbijetoi breshërisë së plumbave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos