
Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona të akuzuar pwr kultivim kanabisi nw njw tunel, raporton A2 CNN. Gjatë operacionit “Neonët 9” shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (tunel), në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., në lagjen “10 Korriku”, i cili ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 pajisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit.
Gjithashtu, u vu në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)