
Një 20-vjeçar me kombësi shqiptare mbeti i plagosur në shpatull nga të shtënat e karabinierëve, pasi tentoi të arratisej me makinë gjatë një kontrolli policor në zonën e Pisanos, në Itali. Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës kur një grua telefonoi policinë duke thënë se dikush po tentonte të zhvaste djalin e saj të mitur, përcjell A2 CNN. Sipas autoriteteve, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët i kishin kërkuar shumën prej një mijë eurosh për t’ia kthyer.
Me mbërritjen e patrullës së karabinierëve në vendngjarje, një nga të dyshuarit tentoi të largohej duke hipur në automjet, duke përplasur një efektiv policie, dhe më pas u largua me shpejtësi të lartë.
Menjëherë pas kësaj nisi një ndjekje që zgjati për disa kilometra, nga Bientina deri në Montopoli. Gjatë arratisjes, karabinierët qëlluan pesë herë me armë zjarri. Dy nga plumbat goditën 20-vjeçarin, i cili u ndalua dhe u transportua me urgjencë në spital. Sipas burimeve zyrtare, gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.
I riu ndodhet nën arrest dhe po trajtohet në spital, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë penale të personave të përfshirë. (A2 Televizion)