Ministria e Mbrojtjes, me anë të një deklarate për mediat, ka treguar situatën e zjarreve në 12 qarqet e vendit.
Nga baza ajrore e Kuçovës, ministri Pirro Vengu, deklaroi: “Temperaturat kanë qenë të larta, kanë kapur shifra ekstreme si 45 gradë, dhe për pasojë kemi pasur 36 vatra zjarri në mbarë vendin. Prej tyre, janë shuar 12 dhe 24 janë ende në situatë aktive”.
Vengu shtoi se operacionet nga ajri janë ndërprerë për shkak të errësirës dhe do të vijojnë në orët e para të mëngjesit, shkruan A2.
“3 qarqet më të prekura janë Vlora, Dibra dhe Berati. Aktualisht jemi të përqendruar në Poliçan, Piqeras, Borsh dhe Selenicë. Forcat janë të angazhuara në terren”, tha Vengu.
“Do të vazhdojmë të qëndrojmë në gatishmëri gjatë gjithë natës dhe në mëngjes do të nisim punën nga ajri për shuarjen e vatrave aktive. (A2 Televizion)