Zjarri në Krujë mbetet pa autor, lirohet 74-vjeçari i ndaluar

Nga Igli Çelmeta
11 Gusht 2026, 15:07 | Kronikë

Zjarri i rënë në Krujë që rrezikoi banesa e biznese mbeti jetim. 74-vjeçari Qemal Berhami, i cili u ndalua nga policia si i dyshuar për nisjen e flakëve është liruar me urdhër të Prokurorisë. Sipas informacioneve paraprake, hetimet nuk kanë gjetur prova që e lidhin të moshuarin me nisjen e shkëndijës.

Madje në argumente shtohet se kur ka shkuar policia, ai  është gjetur duke tentuar të shuante vatrën. Në dëshmi Berhami është shprehur se ndodhej pranë zonës në një lëndinë e cila nuk ishte në pronësi të tij, shkruan A2 CNN.

Flakët e nisura të premten në mbrëmje u përhapën menjëherë duke kërcënuar shtëpitë në Barabit dhe Lluban ku u dha alarmi i evakuimit.

Vetëm të dielën në mëngjes pas angazhimit të helikopterëve dhe mbi 400 forcave zjarrfikëse vatrat u vunë nën kontroll por kohë pas kohe shfaqeshin vatra të ndryshme. Pas mbeti hiri i ullinjve, pemëve dhe bimësisë së shkrumbuar.

Fatmirësisht në objektet e banuara apo dhe në biznese zjarri nuk kapërceu avllitë. Vetëm këtë të martë situata u konsiderua e normalizuar.

I nxehti i gushtit ka shtuar edhe më shumë mundësinë e përhapjes së zjarreve ndaj dhe zyrtarët kanë apeluar për të pasur më shumë kujdes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos