Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë malin e Dukatit në Vlorë, duke shkrumbuar mbi 160 hektarë me bimësi të dendur, shkurre dhe pyje me pisha. Përpjekjet për shuarjen e flakëve po përballen me vështirësi ekstreme, ndërsa vijon rreziku për përhapjen e zjarrit në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë, një zonë me rëndësi të lartë ekologjike dhe natyrore.
Sipas të dhënave zyrtare, vija e zjarrit është e gjatë rreth 3 deri në 4 kilometra dhe ka degëzime të shumta që mund të përhapen më tej për shkak të erës dhe terrenit të thyer malor. Krahu jugor i zjarrit, i cili ndodhet më pranë zonës së mbrojtur të Llogarasë, konsiderohet si më kritik dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm, shkruan A2 CNN.
Vështirësitë për ndërhyrje janë të mëdha pasi terreni i thepisur, mungesa e rrugëve të aksesueshme dhe mungesa e burimeve ujore në afërsi kanë detyruar zjarrfikësit të punojnë me mjete dore si lopata, kazma dhe pompa shpine. Temperaturat e larta dhe era e fortë përkeqësojnë më tej situatën (A2 Televizion)