
Detaje të reja janë mësuar në lidhje me shpërthimin në Fushë-Krujë. Policia është njoftuar për ngjarjen nga bashkëshortja e Ylli Zallës, e cila ndodhet në Itali. Në vendin e ngjarjes nuk ka pasur kamera sigurie, çka e ka vështirësuar identifikimin e autorëve.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se një nga pistat që po hetohet është edhe mundësia që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Ylli Zalla.
Dyshimet e hetuesve janë shtuar pas deklarimeve të bashkëshortes së tij. Fillimisht, ajo ka pretenduar se pranë lëndës plasëse ishte gjetur edhe një letër kërcënuese, por më vonë është tërhequr nga ky pretendim. Ky ndryshim në dëshmi ka bërë që hetuesit të verifikojnë edhe këtë pistë.
Një tjetër mundësi që po hetohet është ajo e inskenimit të ngjarjes nga vetë Zalla, me qëllim krijimin e rrethanave për të kërkuar azil jashtë Shqipërisë, duke pretenduar se i rrezikohet jeta.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorit apo autorëve dhe dokumentimin e çdo rrethane që mund të çojë në sqarimin e motivit dhe dinamikës së incidentit. (A2 Televizion)