Policia e Tiranës ka ndaluar 23-vjeçarin Romario Ibraliu, i cili prezantohej si shofer i kancelares së SPAK dhe kërcënonte inspektorët e IMT-së që të mos ndërmerrnin procedime për ndërtim të paligjshëm, raporton A2 CNN.
Ibraliu kishte ndërtuar një banesë pa leje në Tiranë dhe kur inspektorët e IMT-së shkuan për të kontrolluar dokumentacionin dhe për verifikimet përkatëse, ai i kërcënoi duke pretenduar se punonte si shofer i kancelares së SPAK.
Pas verifikimit rezultoi se ai nuk ka punuar dhe nuk punon në SPAK. Pas konstatimit të objektit pa leje, IMT-ja i ka dërguar materialet në organet ligjzbatuese për hetime të mëtejshme. Aktualisht policia po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rastit. (A2 Televizion)