Catherine Prasifka, Annet Schaap dhe Annie MG Schmidt, Kristos Armando Gezos, Margo Rejmer, Dominique Barbéris, Miro Gavran dhe Paolo Giordano. Këta janë autorët europianë që kanë mbërritur në Tiranë këtë dhjetor për të rrëfyer përmes një festivali letrar se komunikimi ndërkulturor përmes librit na afron jo vetëm me tjetrin, por edhe me çështjet aktuale sociale e politike që prekin sot europën.
Silvio Gonzato, ambasadori i BE në Shqipëri, u shpreh: “Letërsia, ashtu si format e tjera të artit, na frymëzon, angazhon dhe sfidon. Ajo na hap mendjen ndaj ideve të reja, na mundëson të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin, na ndihmon të ndërtojmë shoqëri më të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse. Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë është një kremtim i vlerave evropiane, duke e afruar BE-në me Shqipërinë”.
Ndonëse disa nga shkrimtarët e prezantuar në këtë festival nuk ishin prezantuar me lexuesin shqiptar, pasi veprat e tyre ende nuk janë përkthyer, për ambasadorët që i kanë përzgjedhur ata festivali është një mënyrë e mirë prezantimi me idetë, për të shkuarën e për të ardhmen për të vërteta që gjen në faqe librash, shkruan A2.
Alesandro Ruggera, nga Instituti Italian i Kulturës, thekson: “Ky festival synon të nxisë shkëmbime frymëzuese, të nderojë tradita të ndryshme letrare dhe të lidhë autorët evropianë me shkrimtarët dhe lexuesit shqiptarë. Ai aspiron të kultivojë një vlerësim të thellë për fuqinë e fjalës së shkruar në telajon e pasur të traditave letrare evropiane”.
Festivali u zhvillua në tre mjedise: Shtëpia e Evropës, Qendra “Sotir Kolea” dhe Qendra e Artit “Agimi”. E megjithëkëtë, autorët kanë lëvizur në këtë rrugëtim edhe në shkollat e mesme shqiptare për të dialoguar me të rinjtë. (A2 Televizion)