Në emër të alfabetit, nder për 12 delegatët korçarë të Kongresit të Manastirit

Nga Luela Myftari
22 Nëntor 2026, 19:44 | Kulturë

Fotografi, botime, dokumente dhe letra autografe, si një moment për t’u ndalur e për të kujtuar kontributin e atyre që shkrinë parurinë për shkronjat shqipe.

E tillë ishte ekspozita historike e kuruar nga studiuesi Niko Kotherja në nder të delegatëve që nga Kongresi i Manastirit na dhuruan gërmat që kemi sot. 

“Një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar është Dita e Alfabetit. Në këtë kuadër, kemi sjellë një ekspozitë historike që trajton 12 personalitete, të cilët kanë qenë pjesë e Kongresit të Manastirit dhe vijnë nga Qarku i Korçës. Në ekspozitë janë vendosur materiale dokumentare, fotografi, botime dhe letra autografe, që na japin një ide mbi veprimtarinë e këtyre personaliteteve. Ata nuk përfaqësuan vetëm Qarkun e Korçës, por edhe kolonitë shqiptare në Bullgari, Amerikë dhe më gjerë”, deklaroi Kotherja, shkruan A2. 

Në koridoret e shkollës së parë shqipe gjejmë edhe Lirika Bicollin, mbesën e patriotit Mihal Grameno, e cila ndau kujtime familjare për gjyshin dhe trimërinë e paraardhësve të saj: “Që kur ishim të vegjël, gjyshi na tregonte për nënën e tij, Alinën, e cila ishte një grua shumë trime dhe patriote. Kur turqit vinin për të kontrolluar shtëpinë, ajo gjente mënyra për të fshehur armët. I mbulonte me dërrasën ku vendosej buka dhe u thoshte se po i çonte në furrë. Kështu, arrinte t'i shpëtonte armët. Edhe pse unë nuk e kam njohur personalisht gjyshin, ndihem shumë krenare për të dhe për paraardhësit e mi. Në familjen tonë festat kombëtare, veçanërisht 28 Nëntori, kanë qenë gjithmonë festa të mëdha. Atdheu është gjëja më e shtrenjtë që ka njeriu dhe duhet ta duam e ta mbrojmë”. 

Aktiviteti kushtuar Kongresit të Manastirit vlerësoi kontributin e 12 personaliteteve nga kjo trevë, pjesëmarrës në ngjarjen historike të vitit1908. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos