Më 20 qershor, këngëtari i njohur italian Al Bano u ngjit në skenë në Shën Petersburg, ku performoi në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar, së bashku me kolegen e tij Iva Zanicchi. Por pjesëmarrja e tij në këtë event të organizuar në Rusi ka shkaktuar reagime të forta në Itali – përfshirë edhe një kritikë të hapur nga ish-bashkëshortja e tij, Romina Power.
Në një postim në Instagram, Romina është shprehur hapur kundër vendimit të Al Banos për të performuar: “Nuk është as vendi dhe as momenti për të kënduar ‘Felicità’”, ka shkruar ajo, duke lënë të kuptohet se nuk aprovon aspak pjesëmarrjen e tij në një ngjarje që përkon me tensionet politike aktuale.
Reagimi i Al Banos nuk ka vonuar. Në një intervistë për AdnKronos, këngëtari pugliez është shprehur i befasuar dhe i lënduar nga deklarata e Rominas: “Postimi i saj ishte një goditje me thikë në shpinë. Nuk e prisja nga nëna e katër fëmijëve të mi. Çdo ditë përballem me sulme dhe kritika në rrjetet sociale, por kjo më dhemb më shumë sepse vjen nga ajo.”
Për më tepër, Al Bano ka hedhur poshtë aludimet se Romina mund të ishte ftuar gjithashtu në koncert, duke thënë: “Nuk më rezulton që ajo të jetë ftuar për të kënduar në Shën Petersburg.” Ndërkohë, Romina Power ka sqaruar në rrjetet sociale se ka refuzuar vetë ftesën: “Unë nuk pranova të merrja pjesë në atë koncert. Nuk më dukej as koha dhe as vendi i duhur për të kënduar ‘Felicità’.”
(A2 Televizion)