Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së, foli mbi Reformën Territoriale, duke theksuar se qytetarët nuk po dëgjohen.
“Nuk nuk fetishizojmë një numër, që të jenë patjetër 100 apo 110 bashki. Janë marrë disa kritere, ky është variant që kemi menduar si më të përshtatshëm, duke parë deficencat e krijuara nga reforma e vitit 2014. Nga komunikimi me komunitetet lokale, por duke vënë paralelisht parimet e kongresit të autoriteteve lokale dhe provinciale të Këshillit të Europës, por duke marrë edhe shembuj nga vende të tjera që alternojnë njësi më të mëdha me njësi më të vogla, duke marrë parasysh aspekte të cilat kanë të bëjnë me ekonominë, me jetën komunitare, me identitetet, duke i respektuar dhe duke i harmonizuar. A është varianti ynë ideal? Jo. Ne ishim shumë të hapur dhe jemi. Aktualisht, jemi në fazën që do ta debatojmë me komunitetet lokale dhe e dini cila do të ishte më e rëndësishmja dhe do të dëshmonte realisht se politika nuk e bën vetëm për demagogji atë që thotë se do dëgjojmë komunitetin? Referendumi. Ka komunitete të tëra që janë ngritur në këmbë. Bashkia e Poliçanit, Bashkia e Divjakës, bashki të tjera të cilat u kundërvihen drejtuesve të tyre sepse janë bërë palë me Edi Ramën. Nuk marrin pjesë në konsulencat fiktive të Partisë Socialiste ata. Çfarë duhet të ndodhë më që përfundimisht në këtë vend duhet dëgjuar qytetari? Çfarë kuptimi ka një kryetar i një bashkie, i zgjedhur me votë nga ajo bashki, që i kundërvihet vullnetit të shumicës kësaj bashkie duke u bërë palë me kryeministrin? Kjo dëshmon më së miri atë që themi se këta nuk janë të zgjedhur të popullit. Këta janë të emëruar të Edi Ramës”, tha Dule në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
Sipas tij, “edhe me hartën aktuale, pushteti vendor është zhveshur nga shumë prej kompetencave të veta”.
“Në këtë vend vendos vetëm një: ai është Edi Rama me një celular. Herë nga avioni, herë nga resorti në Dhërmi... Nuk ka pushtet vendor që ka atë autonomi për të cilën flet Këshilli i Europës. Kjo edhe për fajin e të zgjedhurve të pushtetit vendor, të cilët në nivel personal u kam kërkuar që të shprehen nëse ndihen realisht se kanë autonomi në ushtrimin e të drejtave të tyre. E kuptoni që kemi një pushtet vendor sot vasal të interesave të kryeministrit? Duke mos i garantuar qytetarit përfaqësimin që është A-ja në demokraci, si do të ketë ai të thënën e vet për të ardhmen e tij, për administrimin e së tashmes dhe planifikimin e së ardhmes? Partitë dhe administrata lokale nuk duhet të fshihemi. Shikoni votën dhe vota është në lagjet e Tiranës, nuk është në Paskuqan. Dhe fondet do të shkojnë aty ku do të vjelësh votën, që janë lagjet e Tiranës dhe nuk është periferia. Plus, kemi elemente të tjera po aq të rëndësishme. Janë larguar shërbimet. Ka shumë zona që nuk arrijnë të kryejnë shërbimet më elementare dhe nga ana tjetër bie edhe argumenti nga më themelorët e Partisë Socialiste që në reformën e parë, se do ulej kostoja e funksionimit të pushtetit vendor. Përkundrazi, është rritur kostoja, është fryrë administrata rrjedhojë e reformës së vitit 2014, e implementuar në vitin 2015, shuma e pjesëtarëve të administratës së njësive përbërëse të një bashkie të re është kapërcyer shumë”, tha më tej Dule. (A2 Televizion)