
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se gjyqtarët kanë kallëzuar në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, për mos kalimin e rrogave mujore.
“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit”, shkroi Rama në X, përcjell A2 CNN.
“Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Përveç Malajt, janë kallëzuar në SPAK edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe përgjegjësit e 12 degëve të thesarit në vend. (A2 Televizion)