Gazetari Lufti Dervishi e ka cilësuar si “teatër” dhe “propagandë të shëmtuar” nismën e re të kryeministrit Edi Rama, “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët takohen çdo të premte me qytetarët për të dëgjuar dhe evidentuar problematikat e tyre.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2CNN, Dervishi tha se nisma është një formë populizmi dhe se nuk përbën reflektim të qeverisë përballë protestës qytetare. Dervishi kritikoi gjithashtu mënyrën se si qeveria po përpiqet t’i përgjigjet protestës, duke argumentuar se reflektimi duhet të shoqërohet me akte konkrete.
“Po i dëgjojmë fjalët, por po i shohim edhe veprimet. Ka një mospërputhje mes asaj çka thuhet dhe asaj çka bëhet. Populizmi është lideri mbi institucionin. Populizëm është që ta kthesh shtetin në whatsapp, apo portal. Populizëm është që për problemet më të mëdha të bësh sikur po bën zgjidhje. Populizëm është që të rreshtohesh me popullin, por të thuash burokracia, administrata, ju deputetë që na keni nxirë faqen, me vende pune, ky është populizëm. Reflektimi është me akte konkrete. Deri tani kemi parë parodi. Ka një lloj hutimi. Qeveria është mësuar me armikun, kundërshtarin prej vitesh, dhe e di si do ta përballojë, por s’e ka të qartë që s’është opozita përballë, dhe ka kaluar në veprime teatrore. Më duket pak qesharake, takimi i së premtes, i xhumasë pasdite, po dëgjojmë halle, po bëjmë edhe një foto. Çfarë është kjo?! Edhe Estrada e Ushtarit ka pasur pak më shumë cilësi. Pak më shumë përmbajtje. Kush është ideja, propagandë dhe më shumë propagandë. E shëmtuar!”, u shpreh Dervishi.
Gazetari paralajmëron se tetori mund të jetë muaji i kulmit sa i takon protestës, duke theksuar se qeveria nuk mund të jetojë vetëm me like dhe komente në rrjetet sociale.
"Nuk jeton dot online, me like, komente dhe emocione. Muaji tetor mund të jetë edhe muaji i kulmit. Janë disa akrepa të orës që mbivendosen me njëra-tjetrën dhe shikohet çfarë efekti mund të japë. Temperatura, pavarësisht reshjeve që priten, do të mbetet e lartë", tha Dervishi.
(A2 Televizion)