Aleks Shtrezi është 27 vjeç. Në fshatin Kovashicë të Bulqizës ai merret me kultivimin e troftës salmon, një punë të trashëguar nga xhaxhai i tij. Historia e tij u transmetua në emisionin “Hotspot” në A2 CNN, nga gazetari Armend Pire. Aleksi u rrit së bashku me troftat dhe nuk vendosi të largohej kurrë nga fshati. E dashuronte këtë punë ndaj vendosi që të ndiqte hapat e xhaxhait të tij së bashku me të atin. Tashmë me dy rezervuare, Aleksi thotë se kultivon deri në 200 mijë trofta në vit për shitje. E nëse flasim si peshë, bizneset e ndryshme dhe restorantet furnizohen me afro 60-70 ton troftë të Kovashicës. Thotë se kjo punë ka shumë fitime dhe nuk ka menduar asnjëherë të largohet nga vendlindja, raporton A2 CNN.
“Kemi 23 vite që e kemi hapur si punë. E nisi xhaxhai im në vitin 2002, asokohe unë isha 4 vjeç. Më vonë xhaxhai emigroi në Ukrainë ku ka 13 vite që jeton dhe punon në disa biznese. Rritjen e troftës e pasova unë me familjen time. Jam shumë i kënaqur me këtë punë, ka fitimi dhe ka shumë kërkesë nga restorantet” – tha i riu për A2 CNN..
Rruga e Arbrit ka sjell oksigjen për të gjithë Dibrën. Dikur banorëve u duheshin mbi 6-7 orë për të mbërritur në Tiranë, ndërsa sot për vetëm 1 orë Aleksi arrin të furnizojë edhe markatat dhe restorantet e kryeqytetit.
“Rruga e Arbrit n aka ndihmuar shumë. Përveç Tiranës kemi çuar troftë në Pogradec, në Tropojë, në Valbonë, dhe zona të tjera ku ka turistë. Pëlqehet shumë pasi rritet me ujë burimi dhe ne kujdesemi që të kemi një rritje cilësore” – tha 27-vjeçari për A2 CNN.
I lumtur për të birin është edhe Xhevahiri. Ai thotë se emigrimi nuk është zgjidhje dhe puna në vendlindje është më e dobishme.
“Kam qenë vetë në emigrim, 15 vjet. Emigrimi si emigrim, ka vështirësi. Ku ka më mirë se puna në vendin tënd. Jam i kënaqur që djalin e kam këtu. Ma ka dëgjuar fjalën, unë e ndihmojë për çdo gjë që nevojitet” – tha i ati i Aleksit, për A2 CNN.
Emisioni Hotspot do të sjellë çdo të shtunë, në orën 14:30 në A2 CNN nëpërmjet një cikël reportazhesh Shqipërinë ndryshe. I ndërtuar mbi bazën e rrëfimeve unike, ku personazhet tregojnë sukseset e punës së tyre, traditën shqiptare, mikpritjen si dhe mundin e përditshëm. Rrëfime ekskluzive dhe personazhe që vijnë për shikuesit në një mënyrë të thjeshtë të të rrëfyerit. (A2 Televizion)