16 vjet në NATO, Rama: Të jemi eksportues të prodhimit ushtarak

Nga Indrit Maraku
5 Prill 2025, 19:59 | Politikë

16 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO i dha mundësinë Kryeministrit Rama, shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, të vizitonin repartin ushtarak të Zall Herrit, ku diskutuan jo vetëm mbi arritjen e këtyre viteve, por edhe ato që konsiderohen si sfida të Forcave të Armatosura.

Pasi nënvizoi diferencën në shpenzimet për mbrojtjen mes Qeverisë së tij dhe paraardhësve, Kryeministri Rama theksoi se synimi për të ardhmen duhet të jetë krijimi i industrisë kombëtare të mbrojtjes, bazuar në prodhimin vendas.

“Krijimi i industrisë tonë kombëtare të mbrojtjes është prioritet. E dimë se si u shkatërrua baza materiale e forcave të armatosura. E dimë shumë mirë se si dolëm nga humnera ku ranë forcat e armatosura. I kemi kushtet dhe mundësitë të ndërtojmë një industri që të na japë jo vetëm mbrapsht një aset të munguar të Shqipërisë, asetin e industrisë ushtarake, por edhe një kapacitet të ri, për të rritur nivelin e Forcave të Armatosura dhe rritur efikasitetin e tyre. Ndaj kemi edhe një ekip për këtë, jo vetëm ministri, por edhe zëvendësministrja.”

Edhe qasja me pronat e ushtrisë duhet të ndryshojë, theksoi Rama, për t’i kthyer ato në fitimprurëse.

Kryeministri përsëriti se i qëndron angazhimit që ushtarakët të paguhen sa mesatarja e FA të NATO-s, një objektiv të cilit tha se po i afrohet, ndonëse duhen ende disa hapa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos