Rama shpjegon "sy m'sy" se për çfarë shërben pasaporta europiane

Nga A2 CNN
5 Prill 2025, 17:58 | Politikë

Rama shpjegon "sy m'sy" se për çfarë

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij “Sy m’sy”, deklaroi se pasaporta europiane nuk është diçka fizike për të ikur dhe për të ardhur nga vendet e Bashkimit Europian për qytetarët shqiptarë, por diçka që lidhet me dinjitetin dhe mundësitë e barabarta për çdo qytetar, student, sipërmarrës shqiptar, sikurse qytetarët europianë.

“Pasaporta europiane nuk duhet për të ikur, se për të ikur ikën edhe me këtë që kemi, por pasaporta europiane duhet për të fituar më në fund dinjitetin, dinjitetin e qytetarit të barabartë europian. Dinjitetin e udhëtarit europian që nuk e nxjerrin anash në çdo hyrje të BE-së për ta pyetur me policë se ku po shkon. Dinjitetin e studentit europian, që kudo ku studion në Europë gëzon të drejta të barabarta me studentët që janë lindur dhe rritur në atë vend të Europës. Dinjitetin e punëmarrësit europian, që kudo ku punon në Europë, gëzon të drejta të barabarta me punëmarrësit e lindur dhe rritur në atë vend të Europës”, tha Rama, shkruan A2.

“Të drejtën e njeriut të lirë, të barabartë, që gëzon të drejtën e çdo qytetari europian dhe çdo mundësi të ofruar nga rrjeti i solidaritetit europian. Pak janë këto? Tani të përçmosh punën e tjetrit është kollaj, por nuk të ndihmon të jetosh më mirë. Përkundrazi, gjyshja ime thoshte, ‘mllefi, e zeza e të zotit’! Ndërkohë që unë besoj se po të interesoheshe pak më shumë për BE-në, dhe mbi impaktin e vendeve të BE-së mbi qytetarët e popujve që kanë hyrë para nesh në atë familje, nuk do t’i bije kaq shkurt dhe kaq së prapthi. Edhe krijimi i kushteve më të favorshme të të rinjve që të investojnë në Shqipëri, siç kërkon ti, me hyrjen në BE bëhet më i lehtë sesa me qëndrimin jashtë BE-së”, shtoi kryeministri.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos