Shtëpi e re, rregulla të reja. Për të patur një karrige si anëtare e unionit, Tirana zyrtare duhet të përformojë në bazë të legjislacionit të Brukselit.
Për të realizuar objektivin e anëtarësimit në BE, Shqipëria duhet të përmbushë një sërë kushtesh, detyrash, reformash madje edhe duke rishikuar dokumentat dypalëshe të firmosura me vende të tjera, brenda dhe jashtë unionit.
A2CNN disponon 23 marrëveshjet e bashkëpunimit ekonomik që do të duhet të rishikohen apo të shfuqizohen si detyrim që rrjedh nga kapitulli 30 “marrëdhëniet me jashtë” për harmonizimin e tyre me tryezën e përbashkët evropiane.
12 marrëveshje, të cilat janë vlerësuar si kategoria D nga Ministra e Ekonomisë dhe Inovacionit do të rishikohen dhe amendohen. Pjesë e kësaj liste është edhe marrëveshja midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunim ekonomik, nënshkruar më 26 nëntor 2020 dhe ka hyrë në fuqi më 3 qershor 2021.
Një pikë e rëndësishmee këtij dokumenti bashkëpunimi ka të bëjë me çështjen e Portit të Durrësit “Durrës Marina”.
Është ende e paqartë se çfarë do të rishikohet në këtë dokument, por në shkresën e Ministrisë së Ekonomisë që A2CNN disponon thuhet se qëllimi i rishikimit ka të bëjë me eliminimin ose përshtatjen e dispozitave që nuk janë në përputhje me BE, veçanërisht ato që lidhen me trajtimin kombëtar, kushtet e importit dhe eksportit, tarifat dhe detyrimet doganore, pagesat dhe transferimin e fondeve, tranzitin, si dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.
Në kuadër të këtij procesi me BE, 11 dokumentet e tjera të bashkëpunimit ekonomik do të përfundojnë me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, pasi janë të nënshkruara me vendet anëtare të unionit.
Pas analizës së kryer të 30 marrëveshjeve tregtare, Ministria e Ekonomisë dhe Inacavionit i ka klasifikuar ato në tre kategori, 7 nga të cilat janë vlerësuar në përputhje me praktikat e BE dhe nuk kanë nvojë për ndërhyrje. (A2 Televizion)