Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka komentuar mundësinë e një “Foltoreje të dytë” nga ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë një interviste në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin.
I pyetur nëse është koha për një tjetër valë takimesh me demokratët, Xhaferri u shpreh se energjia e foltores së parë ishte pozitive, por se aktualisht nuk është moment për rebelime të brendshme.
“Foltore të dytë… të gjitha gjërat pozitive që solli foltorja e parë na duhen, por jo për foltore rebelimi. Nuk ka vend për rebelim, sot duhet të rivihet kontakti me bazën dhe të ecim përpara,” tha Xhaferri.
Deputeti i PD theksoi gjithashtu se takimet me bazën nuk duhet të jenë vetëm nisma të kryetarit të partisë, por detyrë e gjithë strukturës së PD-së.
“Është detyra e çdo deputeti dhe e kupolës drejtuese, deri te seksionet dhe organizatat partnere, që të mobilizohen për zgjedhje që mund të vijnë në çdo moment,” shtoi ai. (A2 Televizion)
