Ekskluzive/Celibashi: S'ka pikëpyetje për legjitimitetin e qeverisë, do eksperimetojmë IA për numërimin në 9 nëntor

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 17:59 | Politikë

Ekskluzive/Celibashi: S'ka pikëpyetje për legjitimitetin e

“Ai që sot qeveris vendin ka legjitimitetin e plotë dhe problemet e 11 majit nuk e vënë në diskutim faktin se kush është ai që do të duhet ta qeverisë këtë vend për 4 vitet e ardhshme, por problematikat ngelen”. Kështu u shpreh në një intervistë ekskluzive në Ditarin me Pandi Gjatën në A2 CNN kryekomisoneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, duke komentuar raportin e ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, zgjedhjet e 9 nëntorit në 5 bashki të vendit dhe risitë e pritshme.

Sipas tij duhet të adresohen problematikat dhe disa çështje si përdorimi i institucioneve dhe administratës publike duhet të sqarohen.

“Të sjelljes së institucioneve publike, të funksionarëve publikë, janë disa çështje që duhet t’i përcaktojmë më mirë në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore. Do të duhet të kuptohet se çfarë ka dashur të thotë ODIHR kur thotë që duhet të ketë një ndalim të aktiviteteve të institucioneve publike për qëllime elektorale. Kjo ka nevojë të sqarohet se ndalimi ia seteve publike e administratës publike qëndron gjatë gjithë kohës, jo vetëm në këtë periudhë. Por besoj se në ditët në vijim do ta sqarojmë me përfaqësues të ODIHR. Ajo që është e rëndësishme, është përkufizimi i qartë i asaj që konsiderohet shpërdorim apo përdorim për qëllime elektorale të administratës publike dhe kur këto shkelje konfirmohen sanksionet duhet të jenë të larta që të ketë impakt”.

Sipas tij ata njerëz që duhet të administrojnë procesin zgjedhor nuk duhet të vijnë nga zyrat e partive politike, por të jenë profesionistë.

“Ata njerëz që duhet të administrojnë procesin zgjedhor nuk duhet të vijnë nga zyrat e partive politike, jo të përjashtohen plotësisht, por jo të kenë atë rol dhe të vetme në proces. Një pjesë e asaj armate që merret me administrimin e zgjedhjeve në nivelin e dytë e të tretë, do të duhet të vijë si kontribut i vendimmarrjes së KQZ-së. KQZ nuk do të synojë të zgjedhë militantë, por njerëz që edhe pse kanë një bindje politike do qëndrojnë larg interesit politik”.

I pyetur nëse kemi bërë regres apo përparime në zgjedhje, kreu i KQZ-së tha se nuk kemi bërë regres, por ishte rasti të bënim progres domethënës. Sipas tij Task Forca KQZ dhe SPAK ka patur integritet pozitiv në integritetin e zgjedhjeve

Celibashi thekson se nëse rikonsiderohet formula e përbërjes së KQZ, varianti më i mirë është ai i një organi monokratik, por edhe me elementë që sigurojnë besimin e opozitës. Në të kundërt sipas tij mund të jetë edhe një organ kolegjial si në të shkuarën.

“Në gjykimin tim nëse do të rikonsiderohet formula e përbërjes së KQZ, varianti më i mirë është ai i një organi monokratik, por edhe me elementë që sigurojnë besimin e opozitës. Ai që duhet të përfaqësojë këtë institucion duhet të zgjidhet me konsensus të opozitës dhe nëse nuk është ky opsion duhet të jetë një opsion i një organi kolegjial si në të shkuarën. Nëse shumica politike përfshirë edhe opozitën nëse mendon që kjo aktualja është formulë e mirë ka nevojë për t’u përmirësuar për sa i përket kompetencave për secilën strukturë të KQZ-së; të komisionerit shtetëror, komisionin rregullator dhe komisionin e ankimeve dhe sanksioneve”.

Në A2 CNN Celibashi foli edhe për zgjedhjet e 9 nëntorit që do të zhvillohen në 5 bashki të vendit. Sipas tij gjithçka është gati dhe në njësinë 10 do të vijohet me votimin elektronik.

“Gjithçka është gati. Dje kemi përfunduar me regjistrimin e kandidatëve për këto 5 bashki, çdo gjë gati për zgjedhjet e 9 nëntorit. Nëse do kemi zgjedhje në Bashkinë e Tiranës të paktën në njësinë 10 të vazhdojmë votimin elektronik”.

Kreu i KQZ-së sqaroi se vetëm dy parti do të marrin financime në këto zgjedhje, pasi kandidatët e tjerë janë nga zgjedhësit.

“Partitë politike nuk marrin financime përjashtuar PS dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet, kandidatët e tjerë janë nga zgjedhësit, nuk mund të marrin financime”.

Ai njoftoi në A2 CNN se këtë herë do të ketë edhe një eksperiment të numërimit të votave përmes inteligjencës artificiale.

“Do kemi procesim të shpejtë të nxjerrjes së rezultatit. Është me shumë më pak ngarkesë ky proces. Dhe po synojmë të testojmë numërimin e fletëve të votimit duke përdorur inteligjencën artificiale, ky do të jetë një eksperiment. Rezultati do të jetë ai që vjen si pjesë e numërimit manualisht të fletëve të votimit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos