A do të votojnë emigrantët? KQZ i vë afat Kuvendit, Celibashi: Topi në fushën e partive

Nga Ervin Koçi
31 Tetor 2023, 15:43 | Politikë



Pesë vite tryeza e diskutime dhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk kanë bindur ende politike për të miratuar kuadrin ligjor për mundësimin e votimit të emigrantëve. Ndonëse dëshira për të mundësuar këtë të drejtë publikisht është e madhe, në letër nuk është hedhur asgjë. Në të njëjtin përfundim rezultoi edhe tryeza e organizuar nga Instituti i Studimeve Politike për votën e diasporës, ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u kujdes të evidentonte se përgjegjësia është e Kuvendin për kapjen e afateve ligjore.  

“Nëse Kuvendi bën plotësimin e këtyre boshllëqeve në tetorin e 2024, ne do të duhet të për gatisim procesin e votimit nga jashtë në gjashtë muaj, është e pamundur. Këtë ta keni të qartë, është e pamundur. Topi është në fushën e partive politike dhe Kuvendit”, u shpreh Celibashi.

Afati i Celibashit është i ndryshëm nga ai i Gjykatës Kushtetuese e cila në janarin e 2023 i la 1 vit kohë për të miratuar ndryshimet ligjore. Por nëse kjo e drejtë tashmë e garantuar edhe nga Gjykata Kushtetuese nuk i mundësohet emigrantëve, opozita mendon se vë në pikëpyetje procesin e ardhshëm elektoral.

“Po krijojmë hapësirën që ta përdorim si kolateral që të themi që në2025 nuk do të ketë votim të emigrantëve. Vendimi I gjykatës ka edhe një anë të mirë, ka vënë një pikëpyetje të madhe mbi kushtetutshmërinë dhe mos të harrojmë diçka, mbeten jashtë mbi 40% e shtetasve shqiptar”, deklaroi Bylykbashi.

Maxhoranca u përfaqësua në këtë tryezë me deputetin që mori nga diaspora, Lavdrim Krashi, i cili ishte i gatshëm për të mbyllur karrierën politike nëse realizohet vota e Diasporës.

Politologu Afrom Krasniqi në qasjen e tij mendon se shkaktar i bllokimit të emigrantëve është koncepti i ri që duhet të pranojë klasa politike, që fatin e tyre do ta kenë në dorë Shqiptarët e larguar nga vendi për një jetë më të mirë.

“Duke e ditur këtë bëhet edhe shumë e vështirë për të bindur aktorët politikë në Tiranë që fati ne tyre ta vendosin qytetar që nuk janë pjesë e mitingjeve, patronazhistëve dhe strukturës që menaxhohet lehtë në Shqipëri”, theksoi Krasniqi.

Që nga viti 2018 partitë politike e kthyen në krye të diskursit të tyre politik votën e emigrantëve, por këtë dëshirë nuk e kishin materializuar saktë në Kodin Zgjedhor pasi nenet e ligjit të miratuar në 2020 për këtë çështje, u konsideruan thjeshtë deklarative nga Gjykata Kushtetuese e cila kërkoi amendimin e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos