Në pritje të raportit final të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, politika në Kuvend ka nisur procesin sërish për arnimin e Kodit Elektoral. Në sytë e Këshillit të Europës dhe ODIHR, mazhoranca u tregua optimiste për një reformë konsensuale, por opozita ka shume dyshime mbi vullnetin politik, të të bazuara edhe mbi të shkuarën e afërt.
Mungesa e besimit ndaj njëri tjetrit e palëve në të njëjtën tryezë për reformën zgjedhore kërkron një arbitër, praninë e aktorëve të tretë, ndërkombëtarëve. Kjo edhe sepse demokratët synojnë të shkojnë deri tek ndryshimi i sistemit.
I vetmi nga shqiptarët që doli jashtë retorikës politike, ishte komisioneri shtetëror i zgjedhjeve që propozoi ndryshime nga administrata zgjedhore deri te rregullimet për financimet e partive politike.
Si mund të arrihet që fituesi dhe humbësi të pranojnë njëri tjetrin? Komisioni i Venecias thotë që rregullat e lojës të mos ndryshohen në mënyrë të njëanshme nga forca e kartonit, ndërsa KQZ mendon që ndryshimet në minutën e fundit cënojnë procesin.
“Futbolli nuk do të ishte një sport argëtues nëse rregullat e një ndeshjeje ndryshoheshin para çdo loje. Veçanërisht nëse rregullat nuk do të vendoseshin nga burokratët e FIFA-s, por vetëm nga një ekip. Rishikimi i legjislacionit për zgjedhjet nuk është se çon në zbatim më të mire të tij. Zbatimi më i mirë mund të arrihet nga trajtimi i barabartë i atyre që e kontestojnë dhe atyre që merren me praktikat administrative, komisioneve apo pavarësia e organeve zgjedhore”, tha Olivier Kask.
“Nëse ndryshimet i çoni në kalendat greke dhe nuk i bëni në kohë atëherë do kemi të njëjtën situatë, ku njëra palë i fiton zgjedhjet, tjetra i konteston”, deklaroi Celibashi.
Demokratët dhe socialistët nuk dakordësohen as për deklaratën e Gianni Buquiçhi, Presidentit të Nderit të Komisionit të Venecias që tha se Shqipëria është një ndër klientët më të mirë.
Gjiknuri mendon se institucionet shqiptare duhet të “shërohen” ndërsa Bylykbashi mendon që përsa i përket zgjedhjeve Shqipëria është e pashërueshme.
Madje as kreu i grupit parlamentar socialist nuk mendon si kolegu i partisë së tij, pasi Taulant Balla thotë që për dy reformat territoriale dhe zgjedhore, Kuvendi duhet t’i drejtohet Venecias.
Me 83 vota të saj dhe 3 të aleatit të Tom Doshit, PS do të mbetet një “kërcënim” politik për opozitën përsa i përket reformës zgjedhore, pasi me dakordësi apo jo produktin duhet ta ketë gati si kërkesë e BE. (A2 Televizion)