Rama nga Londra: Europa duket si një gjigand i vjetër e i lodhur, duhet të zgjohet

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 18:52 | Politikë

Rama nga Londra: Europa duket si një gjigand i vjetër e i lodhur,

Kryeministri Edi Rama ka bërë kritika ndaj Bashkimit Europian nga Londra, ku ndodhet për Samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet nesër.

Rama po merr pjesë aktualisht në Forumin për Sigurinë dhe Politikat Globale, ku gjatë fjalës së tij tha se Europa ndodhet aktualisht në një gjendje të lodhur nga e cila duhet të ‘rizgjohet’.

Shefi i Qeverisë foli gjithashtu edhe për deputetin britanik Nigel Farage, për të cilin tha se pavarësisht retorikës së tij, ai trajton probleme që shqetësojnë vërtetë Britaninë e Madhe, shkruan A2 CNN.

“Besoj që nëse dikush do të kuptojë më mirë se çfarë ndodh me Europën, duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë të tjerët jashtë Europës, të dëgjojë mendjet e mëdha dhe të ndritura të atyre që e shohin globalisht të vdekur arenën. Të gjithë ata e shohin Europën si një gjigant të vjetër, të lodhur, që nuk është më në gjendje të zgjohet dhe të kuptojë që bota ka ndryshuar. Për shembull, ka një fakt të thjeshtë që më pak se 40 vjet më parë PBB e Europës ishte më e madhe se e Kinës, sot janë në nivel të barabartë dhe më pak se 20 vjet Kina do të ketë PBB sa dyfishin e Europës.

Unë kam prirje të besoj se të veçosh Farage si problemin, praktikisht është t’i largohesh rrënjëve të problemit. Farage nuk është problem, është pasqyra ku njerëzit mund të shohin në mënyrë teatrale disa prej problemeve. Unë nuk besoj se ai ka zgjidhje, por nuk ka aspak dyshim që zgjidhja nuk është ta shfaqësh atë si kokë turku. Zgjidhja duhet të jetë të zgjidhësh problemet dhe t’i bësh njerëzit të besojnë te ky vend i madh”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos