Drejtuesi i koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', deputeti Dashamir Shehi, është shprehur se në Tiranë është e pamundur të jetohet me pension 20 mijë lekë të reja.
Komentet Shehi i bëri gjatë një takimi që koalicioni 'Djathtas për Zhvillim' organizoi me qytetarët e Tiranës, në zonën e Bulevardit Zogu i Parë.
Shehi i bëri thirrje qytetarëve të votojnë të dielën ofrrtën e koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', pasi sipas tij, kështu qytetarët votojnë për veten dhe familjet e tyre.
"Besoj se nëse jeni këtu për të dëgjuar diçka, jeni sepse jeni edhe të pakënaqur nga ky realitet dhe duhet ndryshuar. Por ç'do të thotë të ndryshosh? Të votosh njerëz ndryshe, të votosh ide ndryshe. Po votove njësoj, po njësoj do mbetet.
Ne duam një palë zgjedhje të qeta dhe të ndershme. Ju në radhë të parë të dielën shkoni të qetë për të votuar, të bindur se po bëni një punë në shërbim të familjeve dhe fëmijëve tuaj. Sepse po nuk menduat për familjet dhe qytetin tuaj, pjesa tjetër janë fjalë bosh.
Ne nuk ofrojmë mrekulli, por disa gjëra mund të bëhen në këtë Shqipërinë tonë të vogël. Pensionet mesatare janë 190 mijë lekë. Të ultat janë edhe 100-150 minë lekë. Por a mund të jetohet te kjo Tirana jonë që po bëhet super e shtrenjtë me 200 mijë lekë?
Dhe a duhet të mendojnë këto njerëz që e kanë qeverisur Shqipërinë kaq vite se me çfarë do jetojnë këta njerëz? Prandaj ne ofrojmë dhe do vijojmë të kërkojmë një pension më dinjitoz. Nga do dalin këto para? A do të lëmë disa gjëra të tjera pa bërë? Po. A do të lëmë disa rrugë pa bërë? Po", tha mes të tjerash Shehi. (A2 Televizion)