"Fuksat e dikurshëm, patronazhistët e sotëm". Mediu: Strukturat e shtetit në shërbim të Ramës

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 21:14 | Politikë

"Fuksat e dikurshëm, patronazhistët e sotëm". Mediu:

Një katastrofë e cilësoi Fatmir Mediu, pamundësinë që Shqipëria ende ka për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai deklaroi në Debat me Alba Alishanin se të gjitha strukturat e shtetit janë në shërbim të Edi Ramës, madje e krahasoi sistemin e patronazhimit të mazhorancës me atë të fuksave në kohën e komunizmit.

Fatmir Mediu gjithashtu u shpreh se priste më shumë reagim nga SPAK për të parandaluar krimet zgjedhore.

“Rama kalon në fyerje dhe sharje që e quan sarkazëm. Por është sarkazma e një të marri. Unë kam të drejtën që vota ime të numërohet aty ku e çoj. Pas kaq vitesh Shqipëria ka problem me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kjo është katastrofë. Administrata po përdoret si makineri elektorale. Kemi patronazhistët që janë si fuksat e komunizmit. Këta njerëz kanë informacione për ty dhe mund të bëjnë dëm. Këtë e tha dhe Rama “kujdes se patronazhistët janë të egër”.

Nëse opozita do ta mbajë gojën mbyllur do t’i thonë përse nuk fole në kohë. Opozita e ka ndërtuar strukturën për fushatën, denoncimin. Nëse nuk i frenojmë në kohë do të jemi të pabesueshëm. Në takimin me OSBE kemi vënë në dukje shkeljet. Në Lezhë kreu i PD denoncoi disa njerëz me emra që po blinin vota. Në vend që të niste procedimi për këta persona, ata e paditën atë për shpifje, atakohet kandidati i opozitës. Të gjitha strukturat e shtetit në shërbim të Edi Ramës”, tha Mediu.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos