
Sa e rrezikon udhëtimin e Shqipërisë hetimi i zyrtarëve të lartë, ishte një nga pyetjet e gazetarëve austriakë drejtuar ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu gjatë takimit me Reporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder. Në përgjigje të saj, ministri Gogu nënvizoi se “parimi i prezumimit të pafajësisë është me rëndësi dhe se shumica do të karakterizohet nga durimi shtet-ndërtues dhe në të njëjtën kohë do të qëndrojë vigjilente për ruajtjen e standardeve të një drejtësie europiane”.
Ministri tha se kanë kaluar vetëm 9 vjet nga ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe se procesi i konsolidimit të tyre vazhdon.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Ministri Gogu foli për rrugëtimin europian të vendit dhe rajonit si dhe besimin për arritjen e 2027-ës dhe 2030-ës si piketa, ndërtimin dhe pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë, votën e diasporës, zhvillimin ekonomik, punën për të drejtpeshuar zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit, etj.
Në lidhje me parlamentin, Ministri Gogu tha se ka rol kyç për monitorimin e institucioneve dhe informoi gazetaret per vullnetin e palekundur te shumices, shprehur edhe ne deklaratat e Kryeministrit Rama, se shumica do të tregojë durim për shtetndërtimin.
Gogu vuri theksin edhe te vota e diasporës, zhvillimi ekonomik dhe balancimi i tij me mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive të Shqipërisë.
Në planin rajonal, ai ritheksoi se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE: “Shqipëria sjell në tryezën europiane bashkëjetesë fetare, mikpritje dhe energjinë e një shoqërie që po transformohet nga stereotipi i dikurshëm në një ekonomi vibrante të rajonit.” (A2 Televizion)
