Nga Fieri ku zhvilloi një takim me të moshuarit Kryeministri zbuloi se anëtarësimi ne BE dhe rritja e pensioneve do të jenë dy nga objektivat e qeverisë në mandatin e katërt. Rama përsëriti se shumë shpejt do të nis një plan agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit dhe punonjësit e tyre, të cilët sipas tij bien darkord me njëri-tjetrin për të mos deklaruar pagat reale.
“Sot që flasim ne, qeveria, buxheti i shtetit mbulojmë me afro 500 milionë euro diferencën midis sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Pra, në çdo pension që jepet sot, një pjesë e paguan drejtpërdrejtë qeveria, jo sigurimet shoqërore.
Ka ende një shmangie të konsiderueshme, jo më nga puna në të zezë, fare, por nga deklarimi jo i vërtetë i pagave dhe mjafton të shikojmë çfarë ndodh me ndërtimin, apo çfarë ndodh me turizmin, ku e dimë shumë mirë që pagat sot janë në nivele konkurruese me të gjithë rajonin dhe në turizëm pagat janë thuajse sa Greqia, dhe ndërkohë deklarimi i pagave është shumë më i ulët sepse qoftë punëdhënësit, qoftë punëmarrësit mendojnë që këto para që janë për pensionistët, janë një ngarkesë që ata mund ta heqin duke i shkelur syrin njëri-tjetrit.
Për këtë arsye ne e kemi bërë një plan tjetër. Një plan shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit, nga sipërmarrjet, por edhe nga ata që janë punëmarrës.
Tani ne po përgatitemi që të bëjmë një bonus tjetër të ri që të jetë një bonus i përvitshëm dhe të jetë natyrisht më i lartë se ky që është se ndryshe për çfarë e diskutojmë?
Por ky është hapi i parë dhe do të jetë i menjëhershëm dhe do të jetë i përhershme. Pra nuk është bonus “hajde po e bëjmë këtë vit, pastaj shikojmë vitin tjetër”.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelor të mandatit të katërt dhe për këtë mos kini as më të voglin dyshim”. (A2 Televizion)