
"PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti". Këtë përgjigje i dha Sali Berisha gazetarit të A2 CNN Anesti Bajramemaj, kur u pyet për letrën që Salianji u ka dërguar letër Partive Popullore Evropiane dhe drejtuesve të partive evropiane të qendrës së djathtë ku thotë se në PD po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm dhe nëse ai i druhet një krisje të marrëdhënieve me PPE pas kësaj letre.
Sipas kreut demokrat, ish-deputeti është i lirë t’u drejtohet institucioneve të partisë apo strukturave ndërkombëtare, por pretendimet e tij i konsideroi të diktuara politikisht.
“Ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë. Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin. Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën. Secili mund të shkruajë letra”.
I pyetur edhe për garën pa kandidat përballë tij për kreun e PD-së, Berisha tha se mungesa e kandidatëve nuk është e pazakontë, pasi sipas tij, në shumicën e rasteve kur garon kryetari në detyrë, rivalët hezitojnë të futen në garë pa pasur siguri për rezultatin.
“Prania e kandidatëve është diçka shumë e mirëpritur në këtë proces. Por e vërteta është se në 75 përqind të rasteve kur në garë është kryetari, për fat jo të mirë, të tjerët nuk hyjnë në garë. Pse nuk hyjnë në garë? Jo se nuk mund të hyjnë në garë, mund të hyjnë plotësisht, por sepse nuk dëshirojnë të angazhohen në një garë që nuk kanë të sigurt rezultatin. Dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, kjo është në Evropë dhe në botë. Kjo është statistika e kësaj lloj gare”, theksoi ai.
(A2 Televizion)