Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nick Abbott, ka theksuar nevojën urgjente për reformim të ligjit për financimin e partive politike. Ai u shpreh se qytetarët duhet të kenë mundësi të mësojnë qartë se si financohen partitë dhe fushatat e tyre zgjedhore.
“Nevojiten ndryshime në ligjin për financimin e partive, që qytetarët të mësojnë se si financohen partitë dhe fushatat e tyre,” tha Abbott, duke shtuar se në katër vitet e ardhshme Parlamenti do të përballet me sfida të rëndësishme, por do të ketë edhe më shumë gra, një progres që ai e cilësoi domethënës, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër, drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, njoftoi se janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto:
· 43 janë regjistruar si procedime penale, që ndodhen aktualisht në fazën e hetimit;
· 43 raste janë mbyllur për mungesë provash;
· 22 janë dërguar për verifikim në polici;
· 17 janë bashkuar me çështje të tjera ekzistuese.
Nga 43 procedimet penale:
· 35 kanë të bëjnë me korrupsion aktiv në zgjedhje;
· 4 për korrupsion aktiv dhe pasiv;
· 1 për përdorim të funksioneve publike për qëllime politike;
· 1 për kanosje dhe dhunim të zgjedhësve.
Dumani sqaroi se shumica e procedimeve janë bazuar në referime të policisë, ndërsa një pjesë e tyre janë nisur nga kallëzime të subjekteve politike. Ai kritikoi partitë për denoncime të paplota dhe theksoi se SPAK ka qenë maksimalisht i angazhuar që nga fillimi i prillit, në bashkëpunim me KQZ dhe policinë.
“Çdo rast i adresuar është hetuar dhe verifikuar me seriozitet. Aty ku mungonin provat, hetimi nuk është nisur, por në asnjë rast nuk ka pasur neglizhencë,” deklaroi Dumani. (A2 Televizion)