Përplasja se kë nuk do më shumë Amerika, vijoi mes krerëve të politikës shqiptare. Fjalët e Edi Ramës që paralajmëroi një surprizë nga përtej Oqeanit, morën reagimin e Sali Berishës, i cili mendon se fundi politik i kryeministrit do të vijë nga dosja McGonigal.
“Kur i thash, a të ka ardhur ndonjë mesazh, nuk kisha parasysh vizën, kisha parasysh Charles McGonigal. Nuk tha jo, nuk tha jo, çka do të thotë se një hosten e ka marrë,” tha Berisha.
Që pas 20 janarit, kur Donald Trump bëri betimin e rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, selia e SHBA-së në Tiranë ka preferuar të qëndrojë e tërhequr dhe neutrale ndaj zhvillimeve në Shqipëri, edhe kur në fokus të debatit politik ishte Prokuroria e Posaçme, që deri më tani kishte gëzuar mbrojtje ekskluzive amerikane.
“Tre ditë më parë kërkonte votat e PD për ta shkrirë dhe për ta zhdukur, tani e përdor atë si kamxhik ndaj kandidatëve të tij.”
Përpara kamerave, u detyrua të mbrojë edhe bujarinë ndaj aleatëve të cilëve u fali 8 vende të sigurta në koalicionin për Shqipërinë Madhështore, ku ka futur nën një çati 26 parti politike.
“Një koalicion shumë i mirë u bë. Vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e mbyllura, të garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti (ku përfshihet edhe PD) në tërësinë e tyre, përfaqësojnë herë-herë edhe 1/3 e elektoratit shqiptar, pavarësisht se të marra veçmas janë parti modeste në votat e tyre, por të marra së bashku kanë një elektorat qindra mijëra votash,” u shpreh Berisha.
Berisha foli edhe për listën e kandidatëve për deputetë, duke vlerësuar procesin e primareve në PD si të transparencës dhe akuzuar kundërshtarin politik, Edi Rama, për një proces të fshehtë. (A2 Televizion)