Analiza e DW: Ruajtje e pushtetit me mjete të dyshimta?

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 18:21 | Politikë

Analiza e DW: Ruajtje e pushtetit me mjete të dyshimta?

Socialistët dhe Edi Rama siguruan shumicën absolute në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Nuk është vetëm opozita që dyshon se zgjedhjet ishin të drejta, edhe OSBE sheh kushte të pabarabarta, sipas medias gjermane.

Edi Rama siguroi shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri më 11 maj, 83 mandate morën socialistët, shkruan portali gjerman i ARD-së, "tagesschau". Partia Demokratike u rendit e dyta. Kreu i saj, Sali Berisha flet për blerje votash nga qeveria që dy ditë para zgjedhjeve ofroi një amnisti të gjerë gjobash: 170.000 vetë lirohen nga detyrimi i gjobës.

Për Berishën kjo ishte një dhuratë zgjedhore. "Ju e keni ndjekur vetë, që dy netë para zgjedhjeve u falën gjoba në vlerë monetare 150 milionë euro. Ju mund t'i vlerësoni vetë këto zgjedhje", shprehet Berisha që u bëri thirrje përkrahësve për protesta.

OSBE flet për kushte të pabarabarta

Kritika vijnë edhe nga vëzhguesit e Organizatës për Bashkëpunim e Siguri në Europë, OSBE.  Sipas OSBE kushtet nuk ishin për të gjitha partitë të barabarta. Farah Karimi nga Misioni Vëzhgues i OSBE-së thekson, se partia në pushtet ka përfituar gjerësisht nga burimet shtetërore gjatë fushatës zgjedhore, duke fituar kështu një bonus të palejueshëm që ia mundësonte pushteti.

Gjithashtu ka të dhëna se është ushtruar presion ndaj votuesve. Punonjësve të sektorit publik në veçanti iu bë presion për të votuar për partinë në pushtet. Gjithashtu ishte e vështirë për të gjithë votuesit që të merrnin informacione të pavarura nga mediat, thekson Karimi.

"Përqendrimi në sektorin e medias, minimi i diversitetit të burimeve të lajmeve dhe autocensurimi i gazetarëve, si dhe dominimi i dy partive më të mëdha në raportim, kufizoi mundësitë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar”, sipas Karimi.

"Rrezik për kursin europian të vendit”

Vëzhguesit zgjedhorë e kanë kritikuar edhe më parë Shqipërinë për injorimin e propozimeve të shumta për reformim demokratik të ligjir të saj zgjedhor. Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler i CDU sheh këtu një rrezik për kursin europian të vendit: "Ky vend nuk do t'i bashkohet Bashkimit Europian në gjendjen që është aktualisht. Por shumë mund të ndryshohet për mirë. Prandaj, unë rekomandoj fuqimisht që të gjitha palët t'i marrin seriozisht këto rekomandime", tha Gahler.

Rama do ta çojë Shqipërinë në BE

Edi Rama u zgjodh pikërisht për këtë qëllim: premtimi i tij numër një i fushatës ishte që ta çonte Shqipërinë në BE deri në vitin 2030. Gazetari Frrok Ҫupi për "tagesschau" e sheh këtë si arsyen e vetme për fitoren çuditërisht të thellë të Ramës në zgjedhje: "Dikush mund të pyesë veten pse mazhoranca është kaq e madhe. Kjo është një shumicë qytetare, e pavarur nga preferencat partiake. Bëhet fjalë për shqetësimin më të madh të popullit shqiptar: të mos largohet nga kjo udhë tani."

Edi Rama përfitoi edhe nga fakti që opozita është e ndarë. Nuk është e sigurt nëse ai tani do të përdorë shumicën e tij për të vënë në jetë reformat demokratike. Kritikët e akuzojnë atë për kapje gjithnjë e më të madhe të pushtetit në Shqipëri./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos