Apeli zbardh vendimin, arsyet që rikthyen Berishën në "detyrim për paraqitje"

Nga A2 CNN
16 Janar 2025, 18:59 | Politikë

Gjykata e Posaçme e Apelit zbardhi arsyet përse caktoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ndaj Sali Berishës, 38 ditë pasi ndaj ish-kryeministrit ishte shfuqizuar masa e “arrest në shtëpi”.

Duke ju referuar masës së parë “detyrim për paraqitje”, caktuar ndaj Berishës më tetor 2023, Apeli thekson se ky vendim është konfirmuar në të tre shkallët e gjykimit dhe madje edhe në Kushtetuese.

Për ashpërsimin e kësaj mase në “arrest shtëpie”, shkalla e dytë shprehet se kjo ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të masës së parë dhe jo për shkak të shtimit të nevojave të sigurimit.

Apeli ka vlerësuar se gjyqtarja Flojera Davidhi ka gabuar kur shfuqizoi masën “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit të akuzuar për “korrupsion”, pasi përpjekjet e mëhershme të tij për shuarje masë, janë rrëzuar në të tre shkallët .

“Gjyqtari i seancës paraprake në marrjen e vendimit të tij, thjesht ka bërë një rivlerësim të elementëve që janë marrë një herë në konsideratë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, pa shtuar ndonjë element të ri, gjë e cila nuk i lejohet pasi përbën gjë të gjykuar”

Edhe pse e konsideron të gabuar shuarjen e masës “arrest në shtëpi” Apeli vlerëson se kjo masë nuk ishte më e nevojshme. Për këtë është marrë parasysh faktoi se ish-kryeministri ka qëndruar një vit në “arrest shtëpie”, se moszbatimi i masës së parë bazohej në alibinë e tij për antikushtetutshmëri, pretendim i rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, por edhe mosha dhe rrethana të tjera, të ndryshme nga ato të marrë në konsideratë nga gjyqtari paraprak.

Më tej, referuar faktit se jemi para fushatës zgjedhore, Apeli nënvizon se kërkuesi Berisha është konsideruar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese si lideri i opozitës, ose kryetar i partisë kryesore opozitare. 

“Me anë të kësaj mase (“arrest në shtëpi”) kërkuesi e ka shlyer në një farë mënyre pasojën e dhënë nga dispozitat ligjore për moszbatimin e masës së mëparshme të sigurimit “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, dhe për rrjedhojë kjo masë sigurimi duhej zëvendësuar, duke iu dhënë edhe një herë mundësia kërkuesit që të respektojë detyrimet qe lidhet me masën e re të sigurimit “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Gjykata e Apelit nuk lë pa përmendur në vendim edhe faktin se në rast të moszbatimit të masës “detyrim për paraqitje” nga Berisha, SPAK do të ketë të drejtën të kërkojë ashpërsim të masës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos