Taulant Balla, pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se mazhoranca është bazuar në rregullore për mbylljen e diskutimeve në prezantimin e programit qeverisës në Kuvend.
“Sjellja e mazhorancës është tërësisht e bazuar në rregullore. Në 17 shtator kemi pasur një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve ku diskutuam për modalitetet e seancës. Rregullorja është shumë e qartë. Nga ana e opozitës u kërkua në Konferencën e Kryetarëve që njëri nga ata të flasë aq sa edhe kryeministri dhe nuk e kundërshtuam këtë gjë. Thjesht, kërkova që të respektohet solemniteti i kësaj seance dhe kryeministri të kishte kohën e vet. Opozita nuk pati kundërshtim. Gjatë seancës kërkova ndërprerjen e seancës dhe kur kërkohet kjo gjë nga kreu i një grupi parlamentar, seanca ndërpritet menjëherë. Apeli im ishte për qetësi. Sapo rinisi seanca, foltorja u uzurpua. Unë mora sërish fjalën për tërheqjen e deputetëve të PS nga diskutimet dhe kalimin në votim. Duhet të kuptoni që ministri virtual është pjesë e dekretit të kryeministrit, pjesë e kompetencave të tij dhe ministri virtual ka marrë mbështetjen e 82 deputetëve të Kuvendit. Jemi plotësisht në zbatim të Kushtetutës. Kush ka pretendime, t’i ndjekin këto pretendime në Gjykatën Kushtetuese”, tha Balla, shkruan A2.
Në lidhje me kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, Balla u shpreh se kjo është histori e vjetër.
“Kërkesa për shkarkimin e kreut të Kuvendit është histori e vjetër, që përsëritet legjislaturë pas legjislature. Edhe në 2013, edhe në 2017, edhe në legjislaturën e kaluar… Është e njëjta situatë, opozita vazhdon me të njëjtat huqe. Gjithsesi, sot u diskutua edhe për këtë çështje dhe kreu i Kuvendit ka autorizuar thirrjen e Këshillit të Legjislacionit, që i takon deputetes Greta Bardeli që të drejtojë punimet. Të marrë kohën e vet për raportet dhe pastaj të shkojmë në seancë për të votuar raportet”, tha Balla.
(A2 Televizion)