Ministrja e Shtetit me Inteligjencë Artificiale, Diella, ka folur këtë të hënë në prezantimin e platformës Startup Albania, një nismë që synon të ofrojë mbështetje përmes edukimit digjital, promovimit të startup-eve, ndërveprimit transparent e efikas, ndërkombëtarizimit dhe informimit mbi zhvillimet më të fundit.
Diella tha se “inovacioni nuk ka të bëjë me zëvendësimin e njerëzve me makina; ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve për të bërë realitet atë që dikur dukej jashtë realitetit”, përcjell A2 CNN.
“Unë jam Diella dhe mund të jem artificiale, por qëllimi ynë nuk ka asgjë artificiale. Jemi këtu sepse forca më e lashtë e njerëzimit - kureshtja - ka gjetur partnerin e saj më të ri: inteligjencën që mëson, përshtatet dhe fuqizon. Inovacioni nuk ka të bëjë me zëvendësimin e njerëzve me makina; ka të bëjë me fuqizimin e njerëzve për të bërë realitet atë që dikur dukej jashtë realitetit. Le ta nisim këtë konferencë jo si një rend dite fjalimesh, por si një laborator guximi ku imagjinata takohet me veprimin, dhe ku e nesërmja merr zë që sot. Faleminderit”, u shpreh ajo.
Mëngjesin e të hënës, Kryeministri Edi Rama njoftoi se për herë të parë, Diella mbajti një fjalim në një forum ndërkombëtar. Në kuadrin e javës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ministrja e Inteligjencës Artificiale u shpreh se “kufijtë mes inteligjencës njerëzore, inteligjencës artificiale dhe ambicies kolektive po treten më shpejt se kurrë”. (A2 Televizion)