Kryeministri Edi Rama njoftoi se ministrja virtuale Diella, në pranverën e ardhshme, do të jetë prezente edhe fizikisht, jo vetëm në parlament por edhe në studio televizive. Lajmin kreu e qeverisë e dha gjatë fjalës së tij në prezantimin e platformës Startup Albania.
“Jam 100% i sigurt që shumë shpejt jo shumë vonë ministrat e IA nuk do të jenë lajm në të ardhmen. E di që ne e kemi vjedhur këtë vëmendje mediatike, por do të ndodhë. Nuk është thjesht fakti që bën disa procese të automatizuara, por e rëndësishme është e presionit psikologjik që ushtron te njerëzit, humanët për të bërë me shpejtësi procesin dhe sjellë rezultate. Besoj se shumica e proceseve që ne sot ia kërkojmë njerëzve do të bëhet me IA, këtë s’e kam shpikur unë. Qielli është kufiri, ne duhet të avancojmë dhe nxisim inovacionin. Besoj se shumica e proceseve të jenë të suksesshme. Besoj se në pranverën e ardhshme do ta kemi këtu, mund t’i bëni edhe pyetje vetë. Do të jetë me prezencë, njohuri, kapacitetin për të reaguar, debatuar e diskutuar dhe thënë gjëra të reja që ne nuk i dimë. Ne po e sjellim në takime qeveritare, e kemi në parlament, për momentin jo vizualisht të dukshme dhe shumë shpejt do të jetë në TV duke folur me gazetarët. Çfarë do të ndodhë më pas. Do të ketë kapacitete të avancuara, por në fund, mundet t’i delegoni pushtet për të ekzekutuar atë që nuk mund të delegoni është që hiqni vendimin e proceseve demokratike deri në ditën kur njerëzit do të bëjnë referendum dhe për momentin pushteti për ekzekutim i IA, është i pakrahasueshëm me pushtetin ekzekutiv të njerëzve dhe do të fuqizohet gjithnjë e më shumë. Njerëzit duhet të jenë në hapin e duhur për të udhëhequr IA. S’ka Inteligjencë Artificiale që mund të konkurrojë të keqen që është brenda njerëzve. S’ka Ai që mund të konkurrojë hijeshinë e një personi”, tha Rama.
Debateve dhe komenteve në lidhje me ministren e Inteligjencës Artificiale, Rama iu përgjigj duke theksuar se ajo nuk do të marrë asnjë vendim dhe nuk ka asnjë te drejtë qeverisje. Sipas tij puna e Diellës si një ministre e krijuar nga Inteligjenca Artificiale është të procesojë sa më shpejt të dhëna dhe të kthejë përgjigje të shpejta.
“Ka shumë keqkuptime, jo domosdoshmërisht refuzime të bazuara në argumente. Njerëzit që kanë një opinion të ndryshe, nuk kuptojmë që ministrja e IA nuk do të marrë vendime për ne, ne do t’i marim vendimet. Ne nuk po i delegojmë përgjegjësinë për të qeverisur apo për të marrë vendime përfundimtare. Po i japim asaj përgjegjësinë të bëjë atë që ajo bën më mirë se ne. Dhe ajo është të procesojë të dhëna në mënyrë të shpejtë dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta”, tha Rama. (A2 Televizion)