PD i kërkon Peleshit përsëritjen e seancës së 18 shtatorit: Ishte njollë turpi për PS dhe Kuvendin

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 10:27 | Politikë

PD i kërkon Peleshit përsëritjen e seancës së 18

Kuvendi është mbledhur këtë të mërkurë për të konstituuar komisionet parlamentare, me opozitën që pas rezistencës disa ditore ka dorëzuar emrat e saj për drejtuesit dhe nënkryetarët.

Demokratët i dorëzuan emrat e anëtarëve të komisioneve të martën duke iu përgjigjur kështu thirrjeve të vazhdueshme të socialistëve për konstituimin e plotë të Kuvendit.

Seanca e sotme nisi e qetë me demokratët që morën fjalë duke kërkuar përsëritjen e seancës ku u votua qeveria e re, e cila pa debat dhe me tensione u mbyll në vetëm 30 minuta. Deputeti i PD, Belind Këlliçi e cilësoi seancën e 18 shtatorit si njollë turpi për Kuvendin dhe Partinë Socialiste. Ai i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi që të rregullojë procesverbalin e seancës së kaluar plenare.

Nuk mund ta kaloni këtë seancë sikur gjithçka është normale. Ju thoni që do të hedhim procesverbalin për votim dhe sikur qytetarëve t’u tregojmë sikur jemi Kuvend demokratë. Ai procesverbal që doni të votoni, doni të harroni atë seancë që kaloi. Në shkelje të premtimit që dhatë në atë seancë, para se t’i jepnit fjalën zotit Bardhi, ia dhatë fjalën zotit Balla. Që të kalojë seanca e seancave më e rëndësishmja e 4 viteve, vetëm në 25 minuta dhe të dëgjohen vetëm socialistët, kjo është një njollë turpi për këtë Kuvend dhe për ju. Ai procesverbal nuk tregon të vërtetën, deputetët e opozitës, dhe ju vetë. Ju korrigjoni procesverbalin dhe rregulloheni”, tha Këlliçi.

Ndërkohë, Peleshi u përgjigj duke thënë se “ky nuk është diskutim për përmbajtjen e procesverbalit, apo për të treguar temperaturën e diskursit politik”.

Deputeti tjetër nga radhët e demokratëve, Ivi Kaso kërkoi një ndjesë publike nga socialistët për qytetarët.

Duhet të bëni një ndjesë publike për qytetarët, sa i takon seancës së kaluar, pasi nuk dihet se kush do t’i qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Ministrat apo dhe deputetët tuaj nuk i njohin njeri. E sigurt që pati një të humbur, që ishte interesi i qytetarëve. Ju me sjelljet si vasal, e keni treguar veten”, tha Kaso.

Propozimet e PD për drejtues në komisione:

Ina Zhupa – Kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën

Jorida Tabaku – Kryetare e Komisionit për Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik

Bardh Spahia – Kryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale

Luçiano Boçi – Kryetar i Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet

Propozimet e PD për nënkryetarë në komisione:

Eno Bozdo – Nënkryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat

Oerd Bylykbashi – Nënkryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore

Klevis Balliu – Nënkryetar i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes

Bledi Himçi – Nënkryetar i Komisionit për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën

Xhelal Mziu – Nënkryetar i Komisionit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

Albana Vokshi – Nënkryetare e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ivi Kaso – Nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos