Drejtoresha e ‘Open Data’ Albania, Aranita Brahaj, është shprehur se në zgjedhjet e 11 majit kishte mjaftueshëm shkelje për të thënë se në Shqipëri nuk ka proces të rregullt zgjedhor.
Komentet Brahaj i bëri në emisionin ‘ÇdoKënd’ me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, ku analizoi raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet, teksa tha se kishte edhe shumë shkelje të tjera që mund të ishin shtuar atje.
Brahaj tha gjithashtu se në zgjedhjet e 11 majit bandat kriminale kanë qenë aktive dhe kanë negociuar me partinë në pushtet për ndarje të pushtetit.
“Partia në pushtet ka arritur të përdorë të gjithë modelet e pushtetit, ka arritur të hedhë në treg premtime që janë shkelje zgjedhore. Ka pasur problematika edhe me këto sekuestrimet e godinave të mëdha, rekrutimi i biznesmenëve të mëdhënj të cilëve u thuhet ‘o me ne, ose…’.
Nuk pati një sensibilizim shumë të qartë edhe për këtë që ndodh në Shqipëri, që ne shikojmë edhe bandat që në periudha zgjedhore janë aktive. Në mënyrën sesi ato funksionojnë, në mënyrën sesi ata emërojnë anëtarë të tyre në funksione që kanë të bëjnë me doganat dhe tatimet, ata arrijnë në njëfarë mënyre që të krijojnë pushtet edhe për veten e tyre, duke negociuar pushtetin me partinë në pushtet.
Pra raporti i OSBE ka mjaftueshëm shkelje për të thënë se në Shqipëri ne nuk kemi proces zgjedhor dhe kjo nuk lidhet vetëm me një problem që ka të bëjë me reformën zgjedhore, sepse reforma zgjedhore në fund të ditës do t’u japë pak më shumë shance partive të vogla që kësaj radhe fituan vota sa për 5 mandate, por përfunduan me 1 mandat”, tha mes të tjerash Brahaj. (A2 Televizion)
