Bardhi dënon vendosjen e tritolit pranë banesës së Xhelal Mziut: Akte të tilla janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike

Nga A2 CNN
19 Shtator 2025, 14:45 | Politikë

Bardhi dënon vendosjen e tritolit pranë banesës së Xhelal

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dënuar vendosjen e tritolit pranë banesës së deputetit Xhelal Mziu në Kamëz.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se akte të tilla kriminale ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike, shkruan A2 CNN.

Ai shkruan gjithashtu se deri në këtë moment Policia e Shtetit, përveç një njoftimi pa përmbajtje, nuk rezulton të ketë përcjell asnjë informacion mbi veprimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të mundshëm të saj.

Po ashtu, Bardhi shprehet se ai vetë dhe kolegët në Grupin e PD-së, janë pranë deputetit Xhelal Mziu dhe familjes së tij, teksa apelon për zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve.

Reagimi i Bardhit:

Dënoj me forcë aktin terrorist të goditjes me eksploziv ndaj kolegut Xhelal Mziu. Akte të tilla kriminale ndaj një deputeti janë të paimagjinueshme në një shoqëri demokratike dhe do të duhet të kishin alarmuar organet përgjegjëse të sigurisë. Deri në këtë moment Policia e Shtetit, përveç një njoftimi pa përmbajtje, nuk rezulton të ketë përcjell asnjë informacion mbi veprimet për zbulimin e shkaqeve të ngjarjes dhe autorëve të mundshëm të saj.

Secili prej nesh, kolegëve në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, është pranë deputetit Mziu dhe familjes së tij, dhe apelojmë në mënyrë urgjente institucionet përgjegjëse të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të vendosin përpara përgjegjësisë autorët e këtij krimi të shëmtuar. Çdo vonesë e pajustifikuar do të ishte për ne e papranueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos