“Bashkia Tiranë refuzon prej vitesh KLSH”, Zhulali: Ndiqni paranë dhe do gjeni gropa të mëdha korrupsioni

Nga A2 CNN
23 Shtator 2025, 21:18 | Politikë

“Bashkia Tiranë refuzon prej vitesh KLSH”, Zhulali: Ndiqni

Këshilltarja Ilda Zhulali ka ndarë në Off the Record një lajm ekskluziv sipas të cilit, Bashkia e Tiranës prej vitesh nuk lejon Kontrollin e Lartë të Shtetit që të bëjë audit në këtë institucion.

Ndërsa liston shkeljet e kryebashkiakut tashmë të shkarkuar me votat e të majtëve dhe të djathtëve, Zhulali sfidon autoritetet që nëse ndjekin paranë e inceneratorëve dhe dosjes 5 D do të zbulojnë gropa të tjera të mëdha korrupsioni.

“Ajo që ka ndodhur me Veliajn tregon se në çfarë gjendje është vendi sot. Në autokraci nuk ka dyshe, është vetëm një njësh dhe ai brenda natës të shndërron në zero. Kjo është historia Rama-Veliaj. Në bashkinë e Tiranës me 500 milionë euro taksa janë zeruar shërbimet.

Veliaj e ka lënë Tiranën pa ujë, me ujëra të zeza në mes të qytetit. Në Tiranë mbetjet janë bërë mal edhe pse ka një projekt që do të marrë 440 mln euro. Inceneratori fantazmë që duhej të ishte dorëzuar 3 vite më parë, vazhdon të marrë para. Sot Tirana vuan mungesën e kopshteve, çerdheve dhe shkollave. Ndërtimtaria ka qenë shtylla e pushtetit të Ramës dhe Veliajn. Nëse nesër kemi një moratorium për ndalimin e ndërtimeve, bashkia Tiranë falimenton.

E ka kriminalizuar ekonominë e qytetit. Shkeljet e mëdha që janë bërë nga Veliaj janë inceneratorët, 5D dhe po të ndjekësh paratë gjen gropa të mëdha korrupsioni. A e dinë që në bashkinë e Tiranës refuzohet auditimi? Cili është auditimi i fundit që është bërë në bashkinë e Tiranës?  Bëni një kërkim dhe do gjeni sa i vjetër do të dalë”, tha Zhulali në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos