Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, ka sqaruar arsyet pse nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. I ftuar në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Muharremi tha se mungesa e tij ishte një rastësi dhe jo një qëndrim politik.
“Pas vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të PS-së, e cila ka kërkuar që Tirana të shkojë në zgjedhje dhe të ketë një kryetar të ri, u mblodh grupi i këshilltarëve socialistë. Unë kam qenë një nga firmëtarët për mbledhjen e jashtëzakonshme për Veliajn. Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, pasi mbajta fjalën time, mendova se fjala do t’i kalonte kryetarëve të grupeve, siç ndodh zakonisht. Për nevoja personale dola për pak minuta dhe kur u ktheva, votimi kishte përfunduar,” shpjegoi Muharremi.
Ai theksoi se nëse do të kishte qenë në sallë, do të kishte votuar pro shkarkimit të Veliajt. “Po të isha aty, padyshim do të kisha votuar, sepse është një vendim politik. Ne kërkojmë të jemi në shërbim të qytetarëve dhe duam që Tirana të ketë një kryetar të zgjedhur,” tha ai. (A2 Televizion)