Në këto momente, Bashkimi Europian është i hapur për të pranuar vende të reja në familje, por Ballkani Perëndimor duhet të përmbushë reformat që kërkon Brukseli. Këtë ua bëri të qartë liderëve të rajonit në Shkup komisionerja për zgjerimin, gjatë takimit BE–Ballkani Perëndimor, shkruan A2 CNN.
“Dua të jem shumë e qartë. Sot ekziston një konsensus i qartë në favor të zgjerimit. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën, por dritarja e kësaj mundësie nuk do të qëndrojë aty përgjithmonë. Për herë të parë në historinë e Europës, nëse e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të bashkojmë Europën tonë. Por Europa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor”, tha Marta Kos.
Për t’i ardhur në ndihmë 6 shteteve të rajonit, KE ka vënë në dispozicion një fond prej 6 miliardë eurosh në formën e granteve dhe të kredive të buta. Këto para do të disbursohen vetëm nëse shtetet miratojnë dhe implementojnë reformat.
“E di që reformat janë të vështira, por është një proces që do t’ju japë mundësinë për të luajtur në të njëjtën ligë me vendet anëtare të BE-së. Do ta quaja Premier League. Rritja dhe zhvillimi janë në duart tuaja, për t’i treguar BE-së që jeni të gatshëm për më shumë. Vendet e BE-së po ju monitorojnë. Dhe sigurisht, shpresojmë që disa prej jush ndoshta mund të bëhen vende anëtare të BE-së gjatë mandatit tim”, tha Kos.
BE për Shqipërinë është optimiste, Kosovën po e pret të dalë nga kriza politike, ndërsa Aleksandër Vuçiç mungoi në tryezën e Shkupit, pavarësisht se një ditë më parë nga Sevilla pohoi se do të merrte pjesë.
“Shqipëria ka hapur tre grup-kapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grup-kapitujt brenda këtij viti. Mezi pres të festojmë së bashku hapjen e kapitullit të fundit në vjeshtë. Ne po presim qeverinë e re, zoti Kurti, për të vendosur shumë energji në procesin e negociatave. Në Serbi, shpresoj që së shpejti të ecim përpara”, tha Kos.
Kryeministri shqiptar, në një deklaratë para gazetarëve, u zotua se Tirana zyrtare do të plotësojë të gjitha detyrat për të përfituar nga fondet e planit të rritjes.
“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore. Dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër, dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë afatet me Komisionin Europian, dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht”, u shpreh Rama.
Ndërsa kryeministri tjetër shqiptar, Albin Kurti i Kosovës, nuk pranoi t’u përgjigjet gazetarëve, por shprehu vetëm impresionet pozitive për këtë takim.
Maqedonia e Veriut është e shqetësuar për bllokimin e Bullgarisë në rrugën e saj europiane. Gazetarët kërkuan garanci nga Kos në konferencën për shtyp, një garanci që nuk ua premtoi dot. “Situata është e qartë. Nëse RMV përmbush kriteret, që kam frikë se janë të vështira, ne do të ulemi në konferencën e parë ndërqeveritare. Garancia e vetme është delivering. Identiteti nuk mund të vihet në pikëpyetje nga vendimet politike”, tha ajo.
Në fund të punimeve të takimit BE–Ballkani Perëndimor, komisionerja për zgjerimin ju kërkoi edhe një herë liderëve të rajonit që të nxitojnë nëse duan të përfitojnë nga 6 miliardë eurot, një ofertë që skadon për ta në vitin 2027.
Tirana do të jetë mikpritësja e radhës e takimit tjetër, në vjeshtë. (A2 Televizion)