Berisha në Asamblenë e OSBE: Na ndihmoni që Kombi im të votojë i lirë

Nga Anesti Barjamemaj
1 Korrik 2025, 14:39 | Politikë

Parregullsitë në zgjedhjet e 11 majit ishin kryefjalë e Sali Berishës në mesazhin e tij gjatë asamblesë parlamentare të OSBE. Para përfaqësuesve të organizatës që kanë monitoruar nga afër zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, lideri i opozitës pohoi se Shqipëria është kthyer në narkodiktaturë, ku sipas tij vota u diktua nga krimi, shkruan A2 CNN.

“Kartelet e drogës në Shqipëri janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit, portin më të madh të vendit dhe të rajonit. Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës që vjen nga Lindja. Këto kartele janë shumë të fuqishme, emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë etj. Kjo ishte situata me të cilën ne hymë në zgjedhjet e 11 majit”, tha Berisha.

Siç ka bërë për çdo ditë nga selia blu, edhe në këtë takim kreu i Partisë Demokratike denoncoi përdorimin e administratës në zgjedhje. “Të gjitha potencialet dhe burimet e shtetit u përdorën si instrument elektoral nga partia-shtet. Nga ana tjetër, ashtu si në diktaturat komuniste, të gjitha mundësitë financiare, burime të jashtëzakonshme, u përdorën për përfitime elektorale. E gjithë administrata publike, në shkelje të ligjit, është shndërruar në një rrjet patronazhistësh, çdo punonjës i saj duhet te kontrollojë një numër ta caktuar votuesish nëpërmjet keqpërdorimit të të dhënave personale”, tha Berisha.

Teksa vijoi denoncimet, duke përmendur fenomenin e trenit bullgar apo parregullsi të tjera në ditën e votimit, Berisha tregoi dhe kërkesën që ka për OSBE. “Unë kam vetëm një kërkesë: të ndihmoni që Kombi im të votojë i lirë. Pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh kreu i opozitës.

Lideri i opozitës kërkoi nga asambleja parlamentare e OSBE që u mbajt në Portugali që të mbështesin raportin e vëzhguesve të ODIHR. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos