“Integrimi, aspiratë shekullore”, Rama: Shqipëria më afër se kurrë BE-së, plani i rritjes do të realizohet plotësisht

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 11:17 | Politikë

“Integrimi, aspiratë shekullore”, Rama: Shqipëria më

Në takimin BE–Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Shkup në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian për rajonin, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se vendi ndodhet në pikën më të afërt ndonjëherë për t’u integruar në familjen europiane.

“Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore. Dhe nga ana tjetër më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër, dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë afatet me Komisionin Europian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht”, deklaroi Rama, shkruan A2 CNN.

Takimi, i fokusuar në konkretizimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një iniciativë e propozuar nga Komisioni Europian për të përshpejtuar afrimin ekonomik dhe institucional të rajonit me BE-në, shënoi një pikë kthese për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Kryeministri shqiptar nënvizoi se puna intensive me Komisionin Europian dhe bashkëpunimi i ndërsjellë kanë sjellë progres konkret në përmbushjen e kushteve dhe standardeve të përcaktuara nga Brukseli.

Plani i Rritjes përfshin qasje graduale në tregun e përbashkët europian, rritje të investimeve, reforma strukturore dhe ndihmë financiare për të mbështetur tranzicionin ekonomik dhe demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, sipas Ramës, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përfituar nga ky plan ambicioz dhe për ta përdorur atë si trampolinë drejt anëtarësimit të plotë në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos