
Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka bojkotuar për dy orë seancat gjyqësore, në shenjë proteste pas plagosjes me armë të avokatit Elton Shllaku, gjatë ushtrimit të detyrës.
Bojkoti, nga ora 08:00 deri në 10:00, synon të tërheqë vëmendjen te siguria e avokatëve dhe nevoja për masa konkrete gjatë ushtrimit të profesionit.
Në vendimin e firmosur më 17 shtator, Dhoma e Avokatisë i kërkon Prokurorisë një hetim të shpejtë dhe të plotë për zbardhjen e rrethanave të plagosjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Policisë së Durrësit i kërkohet gjithashtu informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e marra për dokumentimin e ngjarjes.
Çështja e sigurisë së avokatëve pritet të ngrihet edhe në mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë.
Avokati Elton Shllaku u qëllua me armë në dorë në zonën e Vollgës. Për ngjarjen, policia vijon kërkimet për autorin e dyshuar, Fatmir Ferhati.
Përmes bojkotit, avokatët kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për ushtrimin e profesionit. (A2 Televizion)